Error message

  • Deprecated function: implode(): Passing glue string after array is deprecated. Swap the parameters in drupal_get_feeds() (line 394 of /home/customer/www/secids.com/public_html/includes/common.inc).
  • Deprecated function: The each() function is deprecated. This message will be suppressed on further calls in menu_set_active_trail() (line 2405 of /home/customer/www/secids.com/public_html/includes/menu.inc).

Shëndetësia në rajonin e SEEHN, prioritet strategjik i bashkëpunimit ndërkombëtar

Mbledhja e Nivelit të Lartë të Rrjetit Shëndetësor të Europës Jug-Lindore, SEEHN (South-East Europena Health Network) Hotel Tirana International, 10 dhjetor 2015

Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2015, Shqipëria ka pasur Presidencën e Rrjetit Shëndetësor të Europës Jug-Lindore, SEEHN, dhe Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka shërbyer si President i këtij forumi ndërqeveritar të ministrive të shëndetësisë të Europës Jug-Lindore, i cili është themeluar në vitin 2001, në kuadrin e Iniciativës për Kohezion Social të Paktit të Stabilitetit për Europën Jug-Lindore. SEEHN përbëhet aktualisht nga 9 anëtarë: Shqipëria, Bosnia-Herzegovina, Bullgaria, Izraeli, Mali i Zi, Maqedonia, Moldavia, Rumania, Serbia.

Në kontekstin e Presidencës së Shqipërisë të SEEHN-it, në datat 10-11 dhjetor 2015, po zhvillohet në Tiranë Mbledhja e Nivelit të Lartë të Ministrive të Shëndetësisë të SEEHN-it, me temë: “Fuqizimi i sistemeve shëndetësorë për Mbulim Shëndetësor Universal me qëllim përmirësimin e shëndetit dhe mirëqeniesˮ. Kjo mbledhje është veprimtaria më e rëndësishme e Presidencës shqiptare të SEEHN-it dhe zhvillohet në kontekstin e rolit të rëndësishëm që po merr Qeveria shqiptare në zhvillimet rajonale si edhe në kuadrin e reformimit të sistemit shëndetësor.

Qeveria shqiptare ka shpallur një objektiv programor madhor të saj, Mbulimin Shëndetësor Universal. Ky objektiv i guximshëm i Qeverisë shqiptare është një objektiv i gjithë botës së qytetëruar. Mbledhja vlerësoi përpjekjet e qeverisë shqiptare drejt Mbulimit Shëndetësor Universal dhe Aksesit Universal, në mënyrë të vecantë aplikimin e Kontrollit Bazë Falas për Grup-moshat 40-65 vjeç dhe themelimin e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës Mjekësore, i cili pritet të fillojë nga zbatimi së shpejti.

Mbledhja vlerësoi, gjithashtu, vizionin e Qeverisë shqiptare në reformimin e sistemit shëndetësor dhe kalimin nga adresimi i sëmundjeve, në adresimin e shëndetit. Puna e bërë në zbatim të ndryshimeve të fundit në ligjin antiduhan, si dhe masat komplekse të ndërmarra nga Qeveria shqiptare, pas rishikimit të ligjit, që lindi si rrjedhojë e situatës problematike të zbatimit të tij, në aspektin më të prekshëm, atë të dobësisë në ndalimin e duhanpirjes në mjedise publike të mbyllura, kanë luajtuar një rol të dorës së parë për suksesin në realizimin e objektivit të një Shqipërie pa duhan.

Mbledhja vlerësoi se gjatë dy viteve të fundit, Shqipëria po jep një kontribut të rëndësishëm edhe në mbështetjen e bashkëpunimit rajonal për luftën kundër sëmundjeve infektive. SECID, Qendra Rajonale e Survejancës së Sëmundjeve Infektive pranë Institutit të Shëndetit Publik, ka luajtur një rol koordinues dhe nxitës për përforcimin e kapaciteteve për kapjen e hershme të infeksioneve që shkaktojnë epidemi si dhe në drejtim të njoftimit të hershëm dhe zbatimin e rregullores ndërkombëtare të shëndetit.

Mbledhja trajtoi edhe çështje të tjera të bashkëpunimit rajonal, si sinergjia midis rritjes ekonomike dhe shëndetit, përballimi i sfidave dhe rreziqeve të reja për shëndetin, impakti në shëndetin dhe sistemet shëndetësore i flukseve migratore, etj.

---###---

Fjala e hapjes e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Mbledhjen e Nivelit të Lartë të Rrjetit Shëndetësor të Europës Jug-Lindore, SEEHN (South-East Europena Health Network):

 

Të nderuar përfaqësuesë të lartë të ministrive të shëndetësisë të vendeve anëtare të Rrjetit Shëndetësor të Europës Jug-Lindore.

Shkëlqesi ambasadorë,

Të nderuar përfaqësuesë të Drejtorisë Rajonale për Europën të Organizatës Botërore të Shëndetësisë,

Mirësekeni ardhur në Shqipëri dhe në Tiranë për të marrë pjesë në Mbledhjen e Nivelit të Lartë të Rrjetit Shëndetësor të Europës Jug-Lindore, organizuar nga Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë dhe Zyra Rajonale e OBSH-së për Europën, në kuadrin e Presidencës së Shqipërisë të Rrjetit Shëndetësor të Europës Jug-Lindore.

Rrjeti Shëndetësor i Europës Jug-Lindore është një forum ndërqeveritar i ministrive të shëndetësisë të Europës Jug-Lindore, themeluar në vitin 2001, në kuadrin e Iniciativës për Kohezion Social të Paktit të Stabilitetit për Europën Jug-Lindore. Rrjeti përbëhet aktualisht nga 9 anëtarë: Shqipëria, Bosnia-Herzegovina, Bullgaria, Izraeli, Mali i Zi, Maqedonia, Moldavia, Rumania dhe Serbia.

Në cilësinë e Presidentit të Rrjetit Shëndetësor të Europës Jug-Lindore dëshiroj të nënvizoj që në fillim se Presidenca Shqiptare gjatë periudhës 1 korrik-31 dhjetor 2015 është nisur nga parimi se bashkëpunimi në fushën e shëndetit është aspekti më i rëndësishëm i bashkëpunimit rajonal.

Qeveria e Shqipërisë e ka konsideruar këtë bashkëpunim një situatë win-win. Nëse  bashkëpunojmë në mënyrë të sinqertë dhe rezultative, atëherë nga ky bashkëpunim fitojmë të gjithë. Nëse jo, jemi të gjithë të humbur.

Konstatoj me kënaqësi se bashkëpunimi ynë ka ecur në drejtimin e duhur dhe kjo është një garanci jo vetëm për vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e Rrjetit, por edhe për kontributin e tij si një ingredient i bashkëpunimit rajonal.

Shqipëria e konsideron bashkëpunimin rajonal një prioritet strategjik të bashkëpunimit ndërkombëtar. Gjatë dy viteve të fundit, Kryeministri Edi Rama dhe Qeveria shqiptare janë shndërruar në promotorë të forcimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit rajonal, me qëllimin shndërrimin e rajonit tonë në një vend prosperiteti dhe paqeje, në një shtëpi më të mirë për të jetuar të gjithë banorët e gadishullit.

Vitin e ardhshëm, Rrjeti ynë mbush 15 vjet. Në prag të këtij përvjetori dhe në hapje të kësaj mbledhjeje, dëshiroj të përshëndes të gjitha vendet anëtare për kontributin e dhënë në bashkëpunimin rajonal në fushën e shëndetit.

Dëshiroj, gjithashtu, të përshëndes Organizatën Botërore të Shëndetësisë, në mënyrë të veçantë Drejtorinë Rajonale për Europën, partneren e pazëvëndësueshme të këtij bashëpunimi, e cila me vizionin, prestigjin dhe asistencën e vazhdueshme është shndërruar në mbështetësen tonë më të madhe.

Një falenderim i veçantë i takon Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal, partneri ynë rajonal i respektuar dhe një mbështetës i fuqishëm i Rrjetit.

Mbështetja e këtyre dy partnerëve meriton kreditet që Rrjeti Shëndetësor i Europës Jug-Lindore po shndërrohet në një udhëhartë dhe vlerë të shtuar të bashkëpunimit rajonal edhe në fusha të tjera.

Duke thënë këto, edhe pse ecim në drejtimin e duhur, nuk duhet të mendojmë se kemi arritur gjithçka dhe se rrugëtimi ynë i mëtejshëm është pa pengesa.

Përveç forcimit të kohezionit të brendshëm të Rrjetit dhe të vetë proçeseve të bashkëpunimit tonë, ne duhet të jemi të përgatitur për të përballuar mjaft sfida të reja. 

Këto sfida lidhen, natyrisht, me rreziqet e vjetra dhe të reja të shëndetit të popujve të rajonit, si krizat humanitare, flukset migratore, fatkeqësitë natyrore, ndryshimet klimaterike, rreziqet ndërkufitare, etj.

Por, sfidat lidhen edhe me rreziqet e vjetra dhe të reja që kërcënojnë përpjekjet dhe investimet tona të përbashkëta për një rajon të shëndetshëm. Dhe kur them rajon të shëndetshëm, kam parasysh shëndetin fizik, ekonomik, shoqëror, politik, kulturor dhe mirëqenien e përgjithshme të popujve të rajonit.

Shëndeti i mirë dhe mirëqenia janë ndër objektivat më të rëndësishme të zhvillimit të qëndrueshëm. Aktualisht, shëndeti i mirë dhe mirëqenia janë renditur objektivi i tretë i Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Por më i rëndësishëm është fakti se të gjitha qëllimet e këtij zhvillimi kanë një përmasë të dukshme shëndetësore dhe të mirëqenies, duke nisur nga lufta kundër varfërisë, ushqimi i popullsisë dhe garantimi i furnizimit me ujë të pastër, mbrojtja e prodhimit dhe konsumit, puna e denjë, lufta kundër pabarazive, qëndrueshmëria dhe pastërtia e qyteteve dhe komuniteteve, mbrojtja e mjedisit, etj.  

Axhenda e re për zhvillimin e qëndrueshëm, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në shtator 2015, ka nënvizuar Drejtore e Përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, znj. Margaret Chan, është tepër ambicioze në misionin e saj, sepse ajo synon të transformojë mënyrën sipas të cilës funksionon shoqëria e sotme. Një prej drejtimeve të saj është kalimi nga objektivat globalë e rajonalë, në arritje konkrete dhe të matshme në çdo vend. Në këtë axhendë, vazhdon Dr. Chan, të varfërit dhe të dobëtit janë të parët, dhe jo të fundit. Prandaj, çdo vend duhet të mendojë se si të gjenerojë burime nëpërmjet sistemeve të taksimit për përmirësimin e shëndetit.

Strategjia e Sistemit Shëndetësor, për të cilën po punojmë aktualisht, në kuadrin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, është një përgjigje edhe ndaj kërkesave dhe sfidave të mësipërme.

Mbledhja e Nivelit të Lartë, të cilën kam nderin të hap, si edhe sesioni i 36-të plenar i Rrjetit Shëndetësor të Europës Jug-Lindore, adresojnë një prej temave më të rëndësishme, më të mprehta, por edhe më ekzistenciale të sistemeve shëndetësore: Mbulimin Shëndetësor Universal dhe kontributin e tij në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve.

Mbulimi Shëndetësor Universal dhe Aksesi Universal janë kryefjala e Programit të Qeverisë Shqiptare në reformimin, konsolidimin dhe modernizimin e sistemit tonë shëndetsor.

Ky objektiv i guximshëm është shenjë e përgjegjësisë sonë politike, njerëzore dhe kombëtare për të garantuar shëndetin e të gjithëve nëpërmjet shërbimeve cilësore dhe të përballueshme për të gjithë.

Ne jemi këtu për të dëshmuar se nuk mund të ketë një rajon të shëndetshëm pa qytetarë të shëndetshëm dhe se shëndeti i qytetarëve nuk mund të jetë i garantuar në një rajon të trazuar.

Ne duhet të punojmë që një rajon që e ka bekuar Zoti, ta bëjmë një vend më të mirë ne, njerëzit, banorët e tij.

Në këtë mision një rol të rëndësishëm, madje të pazëvëndësueshëm, ka edhe Rrjeti Shëndetësor i Europës Jug-Lindore.

Le të shërbejë kjo Mbledhje e Nivelit të Lartë dhe sesioni plenar që do të pasojë si një momentum për ta çuar më tej bashkëpunimin tonë në fushën e shëndetit dhe për të shumëfishuar përpjekjet dhe investimet tona për të krijuar një të mirë publike në shërbim të të gjithë banorëve të rajonit.

Ju uroj të gjithëve suksese dhe një qëndrim të këndshëm në Tiranë!

 

Ju faleminderit dhe punë të mbarë!

 

---###---

 

Prezantim i Raportit të Presidencës Shqiptare të Rrjetit Shëndetësor të Europës Jug-Lindore, SEEHN, nga Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj

Mbledhja e Nivelit të Lartë e SEEHN (South-East Europena Health Network)

Hotel Tirana International, 10 dhjetor 2015
 

---###---

 

Të nderuar miq,

Siç e nënvizova edhe në fjalën e hapjes së kësaj Mbledhjeje te Nivelit të Lartë, vizioni i lidershipit shqiptar të Presidencës së Rrjetit Shëndetësor të Europës Jug-Lindore, ka qenë:

i) bashkëpunimi në fushën e shëndetit është aspekti më i rëndësishëm i bashkëpunimit rajonal;

i) nga ky bashkëpunim fitojmë të gjithë;

iii) në këtë bashkëpunim duhet të shikojmë gjithnjë përpara.

Ky vizion i yni ka gjetur mbështetje të plotë nga Drejtoria Rajonale për Europën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë si edhe nga Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal, dy partnerët tanë më të rëndësishëm dhe mbështetësit më të fuqishëm të Rrjetit.

Unë e kam të qartë që detyra ime politike dhe institucionale në këtë moment, si President i Rrjetit, është të paraqes Raportin e Presidencës shqiptare të Rrjetit Shëndetësor të Europës Jug-Lindore. Por me mirëkuptimin tuaj, dëshiroj që të shkoj përtej paraqitjes së këtij Raporti dhe të shtroj para jush edhe disa reflektime dhe lexime të Presidencës shqiptare dhe të miat mbi bashkëpunimin, efiçiencën dhe sfidat e ardhshme të Rrjetit.

Kam parasysh që Raporti i detajuar i Presidencës Shqiptare të Rrjetit është i disponueshëm për secilin prej jush.

Kjo mbledhje ka adresuar si çështjen kryesore Mbulimin Shëndetësor Universal. Kjo nuk  është rastësore. Siç e nënvizova edhe në fjalën time të hapjes, edhe Qeveria shqiptare ka shpallur një objektiv programor madhor të saj Mbulimin Shëndetësor Universal. Ky është një objektiv i guximshëm.

Mbulimi Universal është një objektiv i gjithë botës së qytetëruar. Presidenti i Bankës Botërore e ka shpallur si një objektiv të 2030-ës.

Në fjalën e saj përshendetëse në Konferencën me rastin e Ditës së Mbulimit Universal, që u mbajt në Tiranë, më 12 dhjetor të vitit të kaluar, Drejtore Rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, znj. Zsuzsana Jakab, nënvizoi se Mbulimi Shëndetësor Universal është guri i themelit në politikat shëndetësore dhe sociale sepse garanton mbështetje financiare, parandalon varfërinë dhe zbut pabarazinë. Sepse, vazhdon Znj. Jakab, shëndeti është një e drejtë, jo një privilegj.

Aktualsisht rreth 70 vende të botës po synojnë Aksesin dhe Mbulimin Universal, çka do të thotë se ky objektiv është i arritshëm dhe i mundshëm.

Mbulimi Universal është një objektiv edhe i Rrjetit, i përcaktuar si i tillë në mjaft dokumente politikash, si Angazhimi i Shkupit (2005), Angazhimi i Banja Lukës (2011), Strategjia e Europës Jug-Lindore 2020, miratuar në vitin 2013, mbledhja e ministrave të shëndetësisë të Rrjetit në Shkup (2014) dhe Beograd (2015).

Megjithatë, ne e kemi të qartë se Mbulimi Universal nuk mund të arrihet as vetëm në programe qeverisëse, as vetëm në nëpërmjet ligjeve, as vetëm nëpërmjet masave organizative.

Qeveria e Shqipërisë dhe Ministria e Shëndetësisë po ngulmojnë fort për këtë qëllim, duke punuar dhe investuar për të ngushtuar pabarazitë në aksesin dhe shërbimin shëndetësor, të cilën e ushqejnë barrierat financiare, kulturore dhe gjeografike. Shpesh, edhe barrierat politike dhe ideologjike.

Për këtë po shfrytëzojmë si arritjet e deritanishme, ashtu edhe programet e reja që kemi filluar të zbatojmë. Ne kemi arritur rezultate shumë pozitive, për sa i përket mbulimit me vaksinim. Shqipëria ka një nivel të vaksinimit të kalendarit kombëtar prej 97%, dhe sigurisht, kjo reflektohet në faktin, që në barrën e sëmundjeve, sëmundjet infektive në Shqipëri zënë rreth 13-14%. Dhe për të arritur te norma prej 5% do na duhen ende rreth 10-15 vjet.

Ndërkohë, dëshiroj të nënvizoj se drejt Mbulimit dhe Aksesit Universal ne po punojmë në dy drejtime, duke zbatuar dy programe, të cilat do të përmirësojnë kujdesin shëndetësor dhe do të zbusin shumë rrezikun e rënies në varfëri në rast sëmundjeje.

Programi i parë është Kontrolli Bazë Falas për grup-moshat 40-65 vjeç. Është hera e parë që ne po përpiqemi që shërbimin parësor ta orientojmë nga sëmundja tek shëndeti. Ky program ka filluar nga zbatimi dhe rezultatet në këtë drejtim të parandalimit të sëmundshmërisë janë domethënëse dhe premtuese.

Programi i dytë është Shërbimi Kombëtar i Urgjencës Mjekësore, i cili pritet të fillojë nga zbatimi së shpejti.

Të dy këto programe rrisin Aksesin Universal dhe Mbulimin Universal, zbusin varfërinë, përmirësojnë mirëqenien dhe shëndetin e popullsisë. 

Një çështje tjetër që dëshiroj të nënvizoj është vizioni ynë bashkëkohor për korrelacionin midis shëndetit dhe rritjes ekonomike.

Lidhja funksionale midis zhvillimit të shëndetit dhe zhvillimit ekonomik duhet të ndërtohet mbi bazën e kontributeve reciproke të shëndetit në rritjen ekonomike dhe anasjelltas.

Shëndeti i popullsisë është konsideruar si një ingredient për rritjen e produktivitetit të ekonomisë dhe ritmeve të rritjes ekonomike.

Por, në kushtet e nevojave të mëdha për mbështetjen e zhvillimit njerëzor dhe social në të gjitha vendet tona, duhet të sigurohet një mbështetje më e madhe dhe burime më të shumta të rritjes ekonomike në funksion të shëndetit të popullsisë.

Sepse shëndeti nuk është një vlerë në vetvete, por një potencial i jashtëzakonshëm i zhvillimit. Një popullsi e shëndetshme do të thotë një forcë pune e shëndetshme dhe konkurruese.

Por konkurrueshmëria dhe inovacioni në zhvillimin ekonomik nuk duhet asnjëherë të devijojnë nga qëllimi i tyre final, që duhet të jetë rritja e mirëqenies dhe përmirësimi i shëndetit të popullsisë.

Dhe Rrjeti Shëndetësor i Europës Jug-Lindore duhet të bëhet promotori i formimit dhe implementimit të këtij vizioni.

Ky korrelacion bëhet akoma më i domosdoshëm nëse mbajmë parasysh se sektori i kujdesit shëndetësor është ndër sektorët më të mëdhenj të vendeve të Bashkimit Europian, por dhe në vendet tona. Kujdesi shëndetësor përbën rreth 10% të PBB-së dhe punëson rreth 10% të forcës së punës së Bashkimit Europian.

Në këtë kontekst, ne duhet të kontribuojmë më shumë për të gjetur zgjidhje inovative për përmirësimin e cilësisë, efiçencës dhe qëndrueshmërisë së sistemeve shëndetësorë në vendet tona, duke e vendosur më shumë fokusin tonë në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe shkëmbimin e praktikave më të mira.

Ne e kemi për detyrë të kontribuojmë në zhdukjen, të paktën zbutjen, e asimetrisë midis rritjes ekonomike dhe niveleve të pakënaqshme të mirëqenies, kënaqësisë dhe lumturisë së popujve të kontinentit dhe të rajonit.

Kjo mund të arrihet nëpërmjet zbutjes së pabarazive, përfshirë pabarazitë në aksesin në shërbimin shëndetësor, përmirësimit të sistemit të edukimit, përmirësimit të sistemit shëndetësor, shërbimeve bazë dhe kushteve të jetësës së popullsisë. Sepse çështja e shëndetit shkon përtej shëndetit. Ajo është një çështje e zhvillimit, një çështje e të gjithë shoqërisë.

Të dashur miq,

Unë dhe kolegët e mi ministra duhet të shndërrohemi faktikisht dhe realisht në ministra të shëndetësisë. Sepse deri tani, kryesisht, ne jemi ministra që adresojmë më shumë sëmundjet.

Ne duhet të punojmë për shndërrimin e shëndetit të popullsisë, madje edhe vetë sistemin shëndetësor, nga një sektor mjekësor që adreson kryesisht, dhe më pare, sëmundjen dhe që konsumon burime financimi, në një sistem që adreson kryesisht dhe në rradhë të parë shëndetin, në një të mirë publike, e cila gjeneron cilësi jetese, mirëqenie, shëndet, produktivitet, siguri dhe mbrojtje shoqërore dhe zhvillim njerëzor dhe social.

Në këtë aspekt edhe ne, ministrat dhe ministritë e shëndetësisë, duhet të ndryshojmë vizionin, misionin dhe vlerat themelore. Siç e përmenda edhe më herët, ne duhet të punojmë për t’u shndërruar nga ministra të sëmundjeve, në ministra të shëndetit, nga ministra të sëmundshmërisë, në ministra të shëndetësisë.

Viti 2015 ka qenë një vit i vështirë, si në të gjitha aspektet, edhe në bashkëpunimin rajonal në fushën e shëndetit.

Vështirësive ekzistuese të rajonit tonë iu shtuan këtë vit, edhe flukset e vrullshme dhe të mëdha migratore të azilkërkuesve nga Siria, Iraku dhe Afganistani.

Këto flukse prekën pak a shumë të gjitha vendet e Rrjetit Shëndetësor të Europës Jug-Lindore, por në mënyrë të veçantë Greqinë, si kufiri jug-lindor i Bashkimit Europian, si edhe Maqedoninë, Serbinë dhe Kroacinë.

Rajoni ynë, edhe pse vulnerabël nga pikëpamja ekonomike, përballoi dhe vazhdon të përballojë ende, pasojat e zhvillimeve të paqëndrueshme të një rajoni fqinj, pra Lindjes së Afërme dhe të Mesme.

Flukset e refugjatëve dhe azilkërkuesve e vunë përpara një prove të vështirë rajonin tonë, i cili, përjashtuar Greqinë, gjatë 25 vjetëve të fundit ka qenë kryesisht një rajon prodhues i flukseve migratore dhe dërgues i emigrantëve.

Prej përballimit të deritanishëm të këtyre flukseve, ne duhet të lexojmë nevojën e një bashkëpunimi më të të organizuar, më sinergjik dhe më produktiv për të mbështetur vendet anëtare në përballimin e fluksve migratore.

Kjo do ta ekspozojë rajonin tonë ashtu siç është në të vërtetë, një rajon solidar dhe human, i cili i kupton dhe u përgjiget vështirësive të të tjerëve.

Të gjitha vendet e rajonit, dy-tre dekadat e fundit, e kanë ndjerë dhe provuar se çdo të thotë të jesh në vështirësi. Tani, është koha të ndihmojmë të tjerët dhe Rrjeti ynë duhet të jetë në avangardë të këtij procesi.

Për më tepër, këto flukse përbëjnë një rrezik real për shëndetin publik dhe shëndetin e popullsisë së rajonit.

Kështu, Qendra Rajonale e Survejancës së Sëmundjeve Infektive pranë Institutit të Shëndetit Publik ka vazhduar të luajë rolin e saj koordinues dhe nxitës në drejtim të përforcimit të kapaciteteve për kapjen e hershme të infeksioneve që shkakëtojne epidemic, si dhe në drejtim të njoftimit të hershëm dhe zbatimin e rregullores ndërkombëtare të shëndetit.

Kjo Qendër në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë Punëve të Brendshme, organizoi konferencën e parë për emigracionin dhe shëndetin me mbështetjen e TAIEX-it, si dhe OBSH-së e IOM-it, ku u diskutuan për herë të parë midis specialistëve të shumë sektorëve dhe shoqërise civile e organizatave të UN, sfidat për çdo vend dhe ato ndërkufitare në përballimin e këtij problemi duke respektuar të drejtat e njeriut, por edhe duke përforcuar e ruajtur sigurinë në rajonin tonë.

Kërkesat e reja që shtrohen në skenën shëndetit publik europian, sidomos në  procesin e implementimit të WHO H2020  and  SEE 2020,  duhet të rrisin rolin e Rrjetit në përballimin e sfidave të kontinentit dhe atyre globale.

Ka lindur nevoja e fuqizimit të strukturave, kapaciteteve dhe burimeve të Rrjetit për shndërrimin e tij realisht në një proces rajonal të mirëstrukturuar dhe efiçent.

Nevoja e bërjes funksionale të Sekretariatit të Rrjetit tani ndjehet më shumë se kurrë më parë. 

Nevoja e rritjes së vetëveprimit të tij është bërë tashmë realisht e patolerueshme.

Nevoja e forcimit të bashkëpunimit sinergjik dhe kohezionit midis vendeve anëtare të Rrjetit është tashmë më e ndjeshme së kurrë më parë.

Nevoja që të shohim vetëm përpara është tashmë ekzistenciale për të gjitha vendet anëtare.

Shëndeti është një çështje që duhet të na bashkojë më shumë si rajon. Dhe promotorë të këtij bashkimi duhet të bëhen në rradhë të parë Ministritë e Shëndetësisë.

Ky bashkëpunim kërkon më shumë vullnet politik dhe institucional. Por ky vullnet jo gjithmonë ka qenë në nivelin e duhur.

Të nderuar miq,

Këto ishin disa aspekte të veprimtarisë së Rrjetit Shëndetësor të Europës Jug-Lindore si edhe të vizionit të tij gjatë Presidencës shqiptare, të cilat mendova të prezantoj para jush.

Unë jam krenar të deklaroj para jush se Shqipëria po e kurorëzon me sukses Presidencën e saj të  Rrjetit Shëndetësor të Europës Jug-Lindore. Nuk ka qenë një lidership i lehtë, por i vështirë. Megjithatë, vështirësitë i japin më shumë suksesit tonë, që është edhe sukses i Rrjetit, sukses i të gjithëve.

Ju faleminderit.